KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj, “Mbajtëm premtimin e dhënë një vit më parë, më shumë investime në Njësinë 6”
Bashkia e Tiranës shtron rrugën “Piro Goda” në Kombinat

Veliaj, “Mbajtëm premtimin e dhënë një vit më parë, më shumë investime në Njësinë 6”

Një nga zonat në urbanizim, konkretisht ajo e kombinatit në njesinë administrative 6, ka tashmë një rrugë të re. Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për ndërtimin e rrugës “Piro Goda”, e cila do t’i shërbejë një komuniteti të madh banorësh. Për kryebashkiakun Veliaj përfundimi i kësaj rruge është një premtim i mbajtur.

Siç e dëgjuam edhe nga banorët, kishte dyshime nëse do të vazhdohej tradita ku premtohej në fushatë dhe fjala s’mbahej asnjëherë. Ndaj, jam shumë krenar që e kemi mbajtur fjalën dhe ende pa u mbushur një vit nga dita kur qytetarët votuan për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur, e kemi çuar këtë rrugë në drejtimin e duhur”.

Më vjen mirë që premtimet e qeverisë qendrore për legalizim, po mbështeten nga premtimet e mbajtura të qeverisë lokale për urbanizim. Kjo është vlera reale që kanë sot këto banesa, kanë ulur muret, jo për t’u ruajtur nga njeri – tjetri me hendeqe, mure e pengesa, por të kemi mundësi që kjo lagje, nga një lagje me shtëpi në legalizim, sot është një lagje vilash. Kjo arrihet vetëm me urbanizimin e zonës, ulen muret dhe qytetarët kanë një hapësirë komunitare për të shkëmbyer me njëri-tjetrin”.

Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një sërë investimesh të tjera në këtë njësi, duke filluar nga rrugët, institucionet sociale etj.

Besoj se brenda këtij viti, do të mbarojmë të gjitha kopshtet që kemi nisur, ku do të preken edhe kopshtet e Kombinatit, do të përfundojmë edhe investimet e tjera për të urbanizuar zonën dhe investimet e radhës në Kombinat do të jenë: rehabilitimi i rrugës nga Kombinati Ushqimor deri në Sharrë dhe rehabilitimi i varrezave të Sharrës. Gjithashtu, do të bëjmë edhe disa ndërhyrje në zonën e Kombinatit, edhe për disa sheshe, kënde lojërash, duke mbajtur që në vitin e parë një pjesë të madhe të premtimeve që edhe unë dhe deputeti i zonës, Saimir Tahiri, bëmë një vit më parë”.

Sipas Veliajt në vitin e parë kanë përfunduar mbi 20 investime të kësaj natyre në lagje, si dhe 10 rrugë kryesore që lidhin arterie në zona të ndryshme të Tiranës.