KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Ndërtimet mbi kolektorë do të prishen
Veliaj: Ndërtimet mbi kolektorë do të prishen

Veliaj: Ndërtimet mbi kolektorë do të prishen

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se situata e krijuar nga rreshjet e së dielës në Tiranë është tërësisht nën kontroll, pavarësisht vështirësive. “Situata në Tiranë është normalizuar. E dinim që do binte shi, por jo në këtë intensitet. Gjithësesi ne i qëndruam pranë qytetarëve në zona të ndryshme të Tiranës, si Kombinat, Laprak, Ndroq, Kashar etj” i tha ai ATSH.
Por situata e krijuar ka sjellë edhe shkëmbime replikash mes maxhorancës dhe opozitës. Përfaqësues të kësaj të fundit kanë akuzuar autoritetet për paaftësi dhe neglizhencë. Por zoti Veliaj tha se përmbytjet kanë ardhur nga papërgjegjshmëria e administratës së kaluar në bashki. “Ata që kanë dhënë leje në mënyrë të paligjshme. Ata që kanë shkelur çdo llojë norme ndërtimi, duke legalizuar ndërtesa mbi kolektorë apo afër shtratit të lumenjve, minimalisht duhet të heshtin”, tha ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranës paralajmëroi për masa drastike për ndërtimet pranë kolektorëve. “Shumë shpejt, nga viti ardhshëm do të nis prishja e këtyre ndërtimeve pa kriter urbanistik, që shkaktojnë dhe këto përmbytje” tha zoti Veliaj. “Ne vlerësojmë dhe i mirëkuptojmë shqetësimet e qytetarëve, prandaj këtyre personave që do i prishen banesat do u jepen disa alternativa, pra banesa sociale, shpronësimet etj” dha hollësi kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.