KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj:Brenda verës do të rikonstruktohen të gjithë kopshtet e Tiranës
Veliaj:Brenda verës do të rikonstruktohen të gjithë kopshtet e Tiranës

Veliaj:Brenda verës do të rikonstruktohen të gjithë kopshtet e Tiranës

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të Kopshtit nr.26 në Rrugën e Kavajës, duke vijuar punën për rinovimin e 23 kopshteve të Tiranës para nisjes së sezonit të ri arsimor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ashtu siç është premtuar më herët, rikonstruksioni i kopshteve do të përfundojë brenda verës, e mandej vitin tjetër, do të nisë puna për ndërtimin e shkollave, çka do të sjellë reduktimin e mësimit me dy turne.

Tani që rikonstruksioni i kopshtit mbaroi, duket se ç’punë e paqme është bërë këtu. Ky është kopshti i dhjetë nga 23 kopshtet e Tiranës që jemi duke i rikonstruktuar. Ashtu siç e ka emrin, “Diell”, shpresoj se do të shkëlqejë një ditë e mirë, një ditë e re për të gjithë fëmijët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se bashkia do të punojë gjithë verën që edhe kopshtet e mbetura të jenë gati në shtator.

Na kanë mbetur edhe 13 kopshte deri sa të vijë 1 shtatori, kur të gjithë vijnë nga pushimet e t’i gjejnë gati. Për Bashkinë e Tiranës nuk do të ketë pushim gjatë kësaj vere, por do të punojmë me turne që edhe 13 kopshtet e fundit që na kanë mbetur t’i përfundojmë deri në shtator, në mënyrë që kur princat dhe princeshat e Tiranës të kthehen nga pushimet, të kenë mundësi të mësojnë në kopshte moderne”, tha ai. Veliaj shtoi se Tirana ka kopshtet më të mira publike në vend. Ndërsa solli në vëmendje se vetëm për kopshtin nr. 26 kanë bashkëpunuar 10 kompani, kreu i bashkisë vlerësoi të gjitha kompanitë që kanë mbështetur investime të rëndësishme, të cilat do të ishte e vështirë të kryheshin me financat modeste të bashkisë.

Falenderoj të gjitha kompanitë që bujarisht dhanë dhe treguan se aty ku ka vullnet, ka një rrugëzgjidhje. Ndaj, jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që dhanë diçka, qoftë për ndërtimin, kanalizimet, pjesët hidraulike, për higjenën, dhe besoj se sot ky kopësht është një nga kopshtet më të mira që kemi në Tiranë”, deklaroi Veliaj. Por, ai falenderoi edhe punonjësit e kopshtit për përkushtimin e përditshëm me fëmijët.

E çmojmë jashtë mase punën tuaj. Kur prindërit lënë fëmijën e tyre këtu, na kanë besuar gjënë e tyre më të shtrenjtë dhe besoj se është në dinjitetin tonë që gjënë e tyre më të shtrenjtë ta trajtojmë me dashuri, me respekt, dhe me gjithë mbështetjen që mund të ofrojmë në kopshtet e Tiranës, përfundoi ai.