KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj:Kopshtet do të qëndrojnë hapur edhe gjatë verës

Veliaj:Kopshtet do të qëndrojnë hapur edhe gjatë verës

Rritja e cilësisë së ushqimit dhe e kujdestarisë, pagesa më e ulët në kopshtet publike ka rritur kërkesën e prindërve që duan të sjellin fëmijët në këto kopshte. Kjo është deklaruar nga kryebashkiaku Veliaj, gjatë perurimit të kopshtit “Bambi” në njësinë administrative 10 në Tiranë.

Kemi një kopësht me dyfishin e kapacitetit, i cili shkon nga 100 në 200 vende. Gjithashtu, kemi një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash nga prindërit për të sjellë fëmijët e tyre në kopshte publike, sepse janë më të lira dhe me cilësi më të mira si në ushqim, ashtu edhe në kujdestari dhe infrastrukturë”.

Lajmi i dytë i mirë është se pas disa vitesh, praktika e vendosur jo zyrtarisht në bashki që i mbyllte kopshtet gjatë muajit gusht, merr fund këtë verë. Pra, në qytetin e Tiranës kopshtet dhe çerdhet nuk do të mbyllen gjatë muajit gusht, në mënyrë që prindërit që i kanë bërë pushimet ose nuk kanë patur mundësi t’i marrin ato, të kenë një hapësirë ku të lenë fëmijët edhe gjatë këtij muaji”.

Veliaj sqaroi se çdo leje e re ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një institucioni social apo arsimor.

Me planin e ri vendor Bashkia e Tiranës do të aplikojë politikën se çdo leje ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një kopshti, një çerdhe ose një shkolle, sepse është e vetmja mënyrë që teksa Tirana urbanizohet, krijojmë më shumë mundësi për ata që zgjedhin të jetojnë në Tiranë.

Kryebashkiaku solli në vëmendje edhe investimet e tjera në njësinë nr. 10, të cilat kanë ofruar standarde më të mira për çdo banor të zonës.