KRYEFAQJA » LAJME » Vetëvaret në burg një i ndaluar për lëndë narkotike
Vetëvaret në burg një i ndaluar për lëndë narkotike

Vetëvaret në burg një i ndaluar për lëndë narkotike

Një person, ndaj të cilit ishte marrë masa e arrestit me burg, është gjetur i vetvarur në burgun e Rrogozhinës ditën e martë pas dite. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 18’45 minuta në ambientet e brendëshme të burgut. Sipas drejtorisë së këtij burgu, 22- vjeçari Estref Halili ka varur veten në banjën e qelisë së tij, me rrobat e lidhura si litar. Kanë qenë shokët e dhomës së tij të cilët kanë dhënë alarmin për varjen e 22-vjeçarit dhe më pas kanë lajmëruar policët e burgut.
Sipas informacioneve paraprake, Estref Halili, nga Kolonja e Lushnjës, është arrestuar nga policia e qarkut të Fierit më 26 dhjetor, pasi në mjetin e tij u gjet lëndë narkotike, kanabis sativa dhe një thikë. Pasi ka marrë masën “arrest me burg”, 22- vjeçari u dërgua në burgun e Rrogozhinës në pritje të hetimeve për veprën penale “përdorim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”. Halili, ishte arrestuar dhe dënuar edhe më parë si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike. Në mars të 2016 ai ishte liruar me kusht, pasi kishte kryer një vit burg. Pas vetvarjes në ambientet e burgut të Rrogozhinës, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.