KRYEFAQJA » LAJME » Vetëvritet i riu në “Nënë Tereza”, në dyshim siguria e aeroportit
Vetëvritet i riu në "Nënë Tereza", në dyshim siguria e aeroportit

Vetëvritet i riu në “Nënë Tereza”, në dyshim siguria e aeroportit

Udhëtarët dhe personeli i aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, janë bërë të enjten pasdite dëshmitarë të një ngjarjeje tragjike. Një i ri 23 vjeçar, i cili mendohet se vuante nga depresioni, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e aeroportit. I riu sapo kishte mbërritur nga Mynihu u ka deklaruar autoriteteve të kontrollit se ai ishte Spidermani dhe më pas është ngjitur në ndërtesë. Me gjithë tentativat e policisë për të biseduar, i riu ka ndërmarrë veprimin ekstrem. Ai është çuar me urgjencë në spital,  por pa mundur të mbijetojë.
Ngjarja veç frikës tek pasagjerët, ka vënë edhe një herë në dyshim sigurinë e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Mbetet e pashpjegueshme se si një udhëtar ka mundur të ngjitet lehtësisht mbi tarracën e aeroportit. Pak kohë më parë siguria e “Nënë Terezës” u vu seriozisht në dyshim, pasi persona ende të paidentifikuar çanë rrethimin e jashtëm të aeroportit dhe brenda pak minutash vodhën rreth 1 milionë dollarë në pistën e avionëve, të cilët po transferoheshin jashtë vendit nga një bankë e nivelit të dytë.