KRYEFAQJA » LAJME » Vettingu-KLD-Llalla, kundër Xhafës: U respektua ligji për emërimet në KED

Vettingu-KLD-Llalla, kundër Xhafës: U respektua ligji për emërimet në KED

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, reagon ndaj akuzave të Kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa , se sekretari i Përgjithshëm i KLD-së, kishte shmangur nga shorti një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, thotë se për emërimet në Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, u respektua pikë për pikë ligji. Televizioni Publik siguroi letrën, – kthim përgjigje që KLD i kundërpërgjigjet Fatmir Xhafës, duke nënvizuar se lista e dërguar në Kuvend është në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit dhe se ky institucion udhëhiqet vetëm nga korrektësia, transparenca dhe respektimi i ligjit.

Letra e nënvizuar…

Kld përgjigjet se “ Me një transparencë të plotë, lista analitike, e cila përmban një informacion të detajuar në formë tabletore, ku janë evidentuar të dhënat e 128 gjyqtarëve të gjykatave të Apelit dhe Administrative, janë në plotësim të plotë të kritereve të vendosura në ligj për të qënë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.”

Në Memon prej 9 faqesh që mban datën 12 shkurt 2017, Fatmir Xhafa deklaron se : “Konstatohet se listat e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së rezultojnë të kenë shmangur nga shorti një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh”.

Ndaj akuzave të Xhafës , ka reaguar edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Në një letër drejtuar për dijeni presidentit dhe kryetarit te kuvendit , Llalla ka reaguar mbi shqetësimet e ngritura nga kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj mbi proçedurat e ndjekura për hedhjen e shortit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke theksuar se janë respektuar proçedurat e përzgjedhjes sipas ligjit.

Pjesë nga letra e Llallës…

“Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar rigorozisht kuadrin kushtetues e ligjor për zhvillimin e një proçesi të drejtë dhe transparent”. “Për Organet e qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, Llalla thekson se në “zbatim të kësaj dispozite ligjore janë verifikuar rast pas rasti të gjithë kandidaturat që plotësonin kushtet për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë e Apeleve. Gjithë informacioni i disponuar lidhur me kandidatët është vënë në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë”.

Në fund, ai kujton se çdo interpretim dhe vlerësim mbi kushtetutshmërinë e proçedurave të përzgjedhjes së kandidatëve të KED nga Prokurori i Përgjithshëm mund të jetë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.