KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Via Egnatia”, tërheq vëmendjen e RAI 3
rruga egnatia via rai3

“Via Egnatia”, tërheq vëmendjen e RAI 3

Rruga Egnatia apo siç njihet në botë “Via Egnatia” ka tërhequr vëmendjen e televizionit italian RAI3, që në programin e përjavshëm EstOuest – Lindje – Perëndimi i ka kushtuar një kronike 3 minutëshe, e saktësisht atij segmenti në territorin shqiptar. “Turistë në rrugën Egnatia” është titulluar kronika e gazetares, Claudia Bruni dhe kameramanit Paolo Bozzi, të cilët përshkuajnë mbetjet e kësaj rruge në Mirakë të Librazhdit. Duke theksuar në kronikë se rruga Egnatia ka njohur tregti, beteja historike, predikues të kryqit, religjione romane dhe otomane. E ndërtuar nga romakët në shekullin e dytë para Krishtit për të lidhur Perëndimin me Lindjen, Romën me Konstandinopojën, Rruga Egnatia tashmë po njeh një rivlerësim të saj falë një projekti të qeverisë shqiptare prej 120 mijë dollarësh, që në fazën e parë të tij rreket ta bëjë të njohur ndërkombëtarisht atë e të vendosë bashkëpunim ndërkombëtar sidomos me universitetet, siç ishte vitin e kaluar bashkëpunimi me universitetin e Venecias, për të lidhur rrugën Egnatia me Italinë, sikurse në të kaluarën, si një mundësi fantastike”. Ndërsa kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare gjatë intervistës për RAI3 thotë se, “ka rreth një vit që duam ta promovojmë Via Egnatia-n si produkt turistik dhe burim zhvillim ekonomik për banorët e zonës. Duke pajisur rrugën me sinjalistikë përgjatë saj, me foto dhe informacione”. Gazetarja italiane e RAI 3, Claudia Bruni, pasi përmend që gjatë këtyre xhirimeve është shoqëruar edhe nga një grup xhirimi i Departamentit të Lajmeve të RTSH, interviston edhe banorë të Mirakës, të cilët shprehen entuziastë nga një mundësi turistike për zonën. “I kemi dyert hapur për turistët dhe kjo zonë me nam për mikpritjen dhe historinë e saj e meriton rinjohjen”.