KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Viktimat e Mesdheut
migrante

Viktimat e Mesdheut

Nga fundosja e disa anijeve me refugjatë ditët e fundit në Detin Mesdhe mendohet se janë mbytur rreth 700 emigrantë. Shifrat bazohen në deklaratat e të mbijetuarve. Fjala është për tre anije të mbytura të mërkurën, të enjten dhe të premten. 550 persona nga një anije që është mbytur të enjten, konsiderohen ende të zhdukur. Rreth 100 të tjerë duhet të jenë të bllokuar në barkun e një anije të fundosur të mërkurën. Kurse numri i të mbyturve nga një anije e tretë që u fundos të premten është i paqartë. Sipas organizatës “Save the Children” refugjatët e shpëtuar që kanë arritur në Itali, kanë treguar se përveç tri anijeve të mbytura me refugjatë ka pasur edhe një anije tjetër me rreth 400 persona në bord, e cila po ashtu është mbytur. Anija qe nisur nga porti i Sabrathat në Libi. “Kemi regjistruar dëshmitë e disa të shpëtuarve dhe të gjithë tregojnë të njëjtën gjë,” tha zëdhënësja e “Save the Children” Giovanna Di Benedetto. “E gjithë kjo duhet të verifikohet, por nëse konfirmohen deklaratat e të mbijetuarve, ka edhe rreth 400 të mbytur të tjerë.” Gjatë javës në Detin Mesdhe sipas rojes bregdetare italiane dhe Kombeve të Bashkuara, janë shpëtuar rreth 14.000 emigrantë. Vetëm të premten gjatë 17 aksioneve të ekipeve të rojes bregdetare, u shpëtuan 2.000 persona. Qëkur gjithnjë e më shumë vende gjatë rrugës ballkanike kanë mbyllur kufijtë e tyre, refugjatët po përpiqen të arrijnë në Itali nga brigjet e Libisë duke kaluar Detin Mesdhe.