KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Virusi Zika me 14 raste në Florida

Virusi Zika me 14 raste në Florida

Besohet se mushkonjat që bartin virusin Zika kanë mbërritur në SHBA. Në Florida janë raportuar të paktën 14 raste infektimi. Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë paralajmëruan disa muaj më parë, por Kongresi ende nuk ka miratuar fonde për të luftuar virusin ose mushkonjat që e përhapin. Për shumicën e amerikanëve, mushkonjat janë të bezdisshme gjatë verës. Por Florida tani duhet t’i trajtojë ato si rrezik ndaj shëndetit publik. Edhe në vende larg Floridës, si Teksasi, disa shprehin shqetësim dhe një ndjesi disfate. Rastet e Floridës konfirmojnë atë që zyrtarët e shëndetit parashikuan muaj më parë. Nga Kongresi, tani për tani, ka mjaft fjalë, por as edhe një dollar nuk është miratuar për t’u përdorur në betejën kundër virusit. Senatorët fillimisht ranë dakord për $1,1 miliard dollarë shpenzime. Por negociatat mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të udhëhequra nga Republikanët rezultuan me një projektligj për të cilin demokratët nuk mund të binin dakord. Senatorët demokratë e bllokuan projekligjin para se të fillonte pushimi shtatë-javor i Kongresit. Anëtarët e të dyja partive ia hodhën fajin palës kundërshtare. Ndërkohë pritet që Zika të përhapet përtej Floridës. Ligjvënësit do të vazhdojnë me mosmarrëveshjet rreth financimit të betejës kundër Zikës kur të kthehen në Uashington në shtator. Tani për tani, qeveritë lokale dhe të shteteve duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për kontrollin e mushkonjave me aq fonde sa kanë për momentin.