KRYEFAQJA » LAJME » Vjedhja e BSH, ish guvernatori Fullani shpallet i pafajshëm
Vjedhja e BSH, Fullani përfundimisht i pafajshëm

Vjedhja e BSH, ish guvernatori Fullani shpallet i pafajshëm

Ish guvernatori i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u shpall të hënën i pafajshëm nga gjykata në Tiranë. Zoti Fullani u akuzua për shpërdorim detyre me pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i BSH, vjedhje që u zbulua pak më shumë se një vit më parë. Ai u akuzua gjithashtu edhe për blerjen e dyshimtë nga ana e institucionit që ai drejtonte të Hotel “Dajtit”, simbolit të hotelerisë shqiptare, në vlerën e rreth 30 milionë eurove si dhe për degradimin e tij. “Pasi pamë e shqyrtuam procesin, Ardian Fullani shpallet i pafajshëm, t’i hiqet masa e detyrimit me paraqitje, shpenzimet proceduriale i ngarkohen prokurorisë”, deklaroi kreu i trupit gjykues Artan Gjermeni. Nga ana e saj prokuroria kërkoi pesë vjet burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, parashikohej që ish guvernatori të dënohej me 3 vjet e katër muaj heqje lirie. Që kur u arrestua, zoti Fullani  ka pretenduar për pafajsi në gjithë këtë histori.
Bie në sy se procesi gjyqësor ndaj zotit Fullani për vjedhjen e 713 milionë lekëve, vjedhje që konsiderohet si nga më të mëdha në historinë e BSH, u zhvillua vetëm në tre senaca. Deri tani lidhur me këtë dosje, janë dënuar 15 të pandehur, të gjithë zyrtarë të niveleve të ulët në BSH. Me interes pritet procesi gjyqësor ndaj ish kryeinspektores Elivar Golemi, e cila një vit më parë u ndalua bashkë me zotin Fullani.