KRYEFAQJA » LAJME » Vjedhja në Rinas, Berisha përplaset me Braçen në parlament
Vjedhja në Rinas, Berisha përplaset me Braçen

Vjedhja në Rinas, Berisha përplaset me Braçen në parlament

Historia e vjedhjes spektakolare më 30 qershor të këtij viti në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, u bë temë e një debatit të ndezur në seancën parlamentare të së enjtes. Përplasja më e fortë ndodhi mes ish-kryeministrit demokrat Sali Berisha dhe deputetit socialist Erion Braçe.
Zoti Berisha më së shumti akuzat e tij i drejtoi ndaj kryeministrit socialist Edi Rama. “Kreu i juaj është kapo i meduzës së krimit të organziuar. Pse ndodh çdo javë një apo dy ngjarje të krimit sepse kreu juaj e ka shndërruar Shqipërinë në protektoratin e krimit. Vrasësit ndihen zotër të territorit të këtij vendi. Ajo që ndodhi në Rinas, është një akt i mirëfilltë terrorizmi jo ndaj personave po një grabitje e stilit terrorist” tha ai. Zoti Berisha e cilësoi të turpshme mungesën e transparencën sipas ti. “Në mënyrën më të turpshme deklaruat se u vodhën 1 milionë. Ja u them unë këtu janë nisur nga bankat 115 kg euro, po po, pra 30 mln euro dhe nën 20 mln avionët nuk transportojnë, se edhe ai ka problemet e veta. Janë nisur 115 kg. Janë rrëmbyer 85 kg, janë rrrëmbyar të paktën 20 mln euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinere, por vepër e një bande zyrtare qeveritare” tha ish kryeministri demokrat.
Por deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar menjëherë duke e quajtur deklaratën provokacion. “Është e paimagjinueshme që ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministri i vendit të bëjë këtu një provokacion të rëndë, të pasuar me një sulm kundrejt sistemit bankar në këtë vend” tha zoti Braçe. “…do ti bëjë thirrje guverantorit dhe shoqatës së bankave për të mbajtur qëndrim publik lidhur me deklaratën e Berishës dhe për të mbajtur një qëndrim publik lidhur me sigurinë e parave në banka” propozoi deputeti socialist. Ndërkaq zoti Braçe ka vënë në dyshim informacionet e servirura nga zoti Berisha. “Rrugët në të cilën e disponon ai këtë informacion kanë mbetur enigmë. … Informacionin Berisha mund të ketë nga kushdo, vetëm nga Banka jo sepse në bankë nuk ka peshore, në bankë ka makina që numërojnë para” tha zoti Braçe. “Për të peshuar para Berisha e di mirë kush peshon. E ka në rrethin e vet. Ka një histori të bukur me peshore, do të vijë dita që do ta them në këtë seancë. Po ja paralajmëroj Berishës në seancë si peshoheshin paratë” shtoi më tej kurreshtjen deputeti socialist.
Ndërkaq lidhur me ngjarje kreu i komisionit të sigurisë kombëtare Spartak Braho ka kërkuar spjegime nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri.