KRYEFAQJA » LAJME » Vlerësohet pozitivisht ligji i pronave
Vlerësohet pozitivisht ligji i pronave

Vlerësohet pozitivisht ligji i pronave

Komiteti i Ministrave për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës e ka vlerësuar pozitivisht ligjin e pronave të miratuar javën e kaluar nga parlamenti shqiptar. Lajmi është dhënë nga Avokati i Shtetit, pas mbledhjes që është zhvilluar në Strasburg ku ka marrë pjesë titullarja e këtij institucioni Alma Hiçka.
Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut, delegatët e këtij të fundit dolën me vendim mbi çështjet shqiptare, në të cilin vunë në dukje ligjin për ngritjen e skemës së kompensimit për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist, i cili është një hap shumë pozitiv për t’i dhënë fund problemit të gjatë të kthimit ose kompensimit  të pronës ish-pronarëve.
Zyrtarët europianë inkurajuan autoritetet shqiptare të mos kursejnë asnjë përpjekje në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme teknike dhe logjistike, si dhe burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që skema e kompensimit të jetë efektive, e shpejtë si dhe të respektohen të gjitha afatet ligjore dhe angazhimet.
Ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” u miratua javën e kaluar nga parlamenti me 91 vota, ndërsa opozita dhe  shoqata e ish-pronarëve e kundërshtojnë atë, duke argumentuar se bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Disa ekspertë mendojnë se miratimi i këtij ligji mund të ndryshojë edhe fatin e disa dosjeve të pronave që janë depozituar deri tani nga ish-pronarët në Gjykatën e Strasburgut, për të cilat nuk ka ende një vendim. Kjo gjykatë u ka dhënë të drejtën mjaftë pronarëve  me një vlerë mbi 40 milionë euro, ndërsa më shumë se 400 dosje pritet të shqyrtohen.