KRYEFAQJA » LAJME » Vllahutin: “Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës”
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur keqardhjen pasi PD refuzoi propozimin për kompromis të SHBA dhe BE për miratimin e Reformës në Drejtësi. "Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve" nënvizohet në deklaratën e posaçme të delegacionit të BE. "Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative" sqaron BE në deklaratë dyshimet e hedhura nga PD. "Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë" shton më tej deklarata. Megjithatë deklarata e delegacionit të BE në Tiranë vlerëson se negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Në Tiranë që prej të mërkurës ndodhet zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm Helga Schmid, e cila do të përmiqet sërish të gjejë kompromis.

Vllahutin: “Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës”

“Projekti Euralius IV do të kontribuojë për t’u rikthyer njerëzve besimin te sistemi i drejtësisë, te konsolidimi i demokracisë dhe shteti ligjor në Shqipëri” tha të enjten ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vllahutin, gjatë takimin e tretë të Komitetit Drejtues të EURALIUS IV. Zonja Vllahutin, aktualisht një aktoret kryesore ndërkombëtare që po mbikqyr reformën në drejtësinë shqiptare, tha se “… përfituesi i fundit do të jetë popullsia shqiptare, që do të përfitojë nga një administratë gjyqësore moderne, më transparente dhe efikase, nga një legjislacion më i zhvilluar dhe më pranë standardeve të BE-së, si dhe nga një funksionim më i mirë dhe më transparent i sistemit gjyqësor”.
Duke ju referuar Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2015, ajo tha se sistemi gjyqësor shqiptar është në stadin e hershëm të përgatitjes. “Dhënia e drejtësisë është e ngadaltë, trajnimi profesional dhe pavarësia e gjyqtarëve është i pamjaftueshëm, korrupsioni po minon gjerësisht efikasitetin e sistemit” tha zonja Vllahutin. Por ajo kujtoi se raporti e lavdëron punën e bërë për çuarjen përpara të procesit të reformës, që ka potencial ta riformatojë sistemin shqiptar të drejtësisë. “Hapat e tjetër vendimtarë janë miratimi i reformës së gjyqësorit dhe i masave të nevojshme institucionale legjislative dhe procedurale” tha ambasadorja e BE në Tiranë.
Duke ju referuar momentit aktual, Reformës në Drejtësi, zonja Vllahutin tha se ajo nuk do të mbarojë me miratimin e paketës kushtetuese, por aty do të fillojë. “Zbatimi i reformës do të jetë një sfidë e madhe dhe një numër i madh aktesh legjislative janë në proces ndryshimi apo hartimi” tha ajo.
Ambasadorja Vllahutin bëri me dije se ekipi EURALIUS ka punuar me draftin sektorial të Strategjisë së Sektorit të Drejtësisë 2016 – 2020 dhe Planin e Veprimit. “Strategjia do të jetë një dokument themelor për planifikimin e asistencës së ardhshme për gjyqësorin shqiptar, si dhe për zbatimin e reformës në vazhdim” tha ajo. Zonja Vllahutin nënvizoi se “Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira” tha ajo, duke ju referua momentit aktual ku maxhoranca dhe opozita në Shqipëri.