KRYEFAQJA » LAJME » VOLEJBOLL FEMRA, SHQIPËRIA MUNDET 1-3 NGA POLONIA
shqiperi poloni, volejboll femra, liga europes

VOLEJBOLL FEMRA, SHQIPËRIA MUNDET 1-3 NGA POLONIA

Shqipëria e volejbollit të femrave është rikthyer pas disa vitesh mungesë në arenën ndërkombëtare dhe vetëm fati dhe episodet i kanë mohuar fitoren në takimin e parë të vlefshëm për grupin e saj në Ligën e Evropës, pasi është mundur 1-3 nga Polonia. Skuadra shqiptare ka ndërthurur disa nga volejbollistet më të spikatura shqiptare që luajnë jashtë, të tilla ai motrat Prenga, Amarilda dhe Arjola, Matoshi apo Sindi Marina, me më të mirat e volejbollit vendas, të tilla si Erblina Bici, Esmeralda Tuci, Ergysa Blloku, Klonarda Nezaj, Sava Thaka, Xhozi Sejfullai e të tjera. Ajo e ka nisur mjaft mirë ndeshjen, duke e fituar setin e parë 25-21. Polonia kundërpërgjigjet në të dytin, duke e fituar atë 25-16, ndërsa dy setet e tjera kanë qenë një betejë e vërtetë. Polaket marrin të tretin 27-25, ndërsa i katërti, i cili e ka parë Shqipërinë të ishte disa herë pranë fitores, u ka rrëshkitur nga duart vajzave kuqezi, të cilat e humbin atë 25-27, dhe gjithë ndeshjen 1-3. Pavarësisht humbjes, ka qenë një paraqitje mjaft e mirë e vajzave kuqezi, të cilat luajnë të shtunën ndeshjen e dytë me Sllovakinë.