KRYEFAQJA » LAJME » VOLEJBOLL, LUHET FINALJA E PARE: BARLETI VOLEJ MUND TIRANËN 3-1
volej-tirana-barleti finalja e kupes

VOLEJBOLL, LUHET FINALJA E PARE: BARLETI VOLEJ MUND TIRANËN 3-1

Pas meshkujve, që kanë luajtur enjten në mbrëmje aktin e parë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, është luajtur të premten në mbrëmje edhe takimi i parë finales së Kampionatit Kombëtar i Volejbollit për Femra. Ky duel final ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që kanë rivalizuar në parket gjatë këtyre vitet e fundit, Barleti Volejin dhe Tiranën. Dhe sfida e parë, që u luajt në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, u fituar nga “vendaset” me rezultatin 3-1. Seti i parë ka qenë një zhgënjim total për vajzat bardheblu, pasi Barleti Voleji e ka fituar atë me rezultatin e thellë, 25-9, duke krijuar edhe idenë e një fitoreje të lehtë në 3 sete. Por nuk ka ndodhur kështu, sepse Tirana ka gjetur forca në setin e dytë, duke reaguar dhe duke e fituar atë me shifrat 25-22. Megjithatë, mungesa e përqendrimit të vazhdueshëm, teksa kryesonte në të dy setet e tjera, është paguar shtrenjtë nga ekipi i drejtuar nga trajneri Adrian Gorenca, pasi Barleti Voleji i fiton ato me të njëjtin rezultat, 25-21 dhe gjithë ndeshjen 3-1. Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Ndeshja e dytë luhet të hënën, më 25 prill, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.