KRYEFAQJA » LAJME » VOLEJBOLL MESHKUJ – FINALJA E “PLAY-OFF”-IT
VOLEJBOLL MESHKUJ – FINALJA E “PLAY-OFF”-IT

VOLEJBOLL MESHKUJ – FINALJA E “PLAY-OFF”-IT

Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj luan sot në mbrëmje aktin e tretë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, që ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që rivalizojnë në këtë vitet e fundit, Studentin dhe Tiranën. Dhe “rrjeta” e meshkujve mund të kurorëzojë sonte kampionen e re, pasi Studenti i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, i ka fituar dy takimet e para. Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Sfida e sotme, që do të luhet në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, duke nisur nga ora 19:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2. Kjo ndeshje paraqet shansin e fundit për bardheblutë e drejtuar nga trajneri Ilo Koja, për të mbajtur gjallë shpresat e tyre të vakëta për titullin “kampion”. Por, duke gjykuar nga dy ndeshjet e para, edhe një gjë e tillë duket mjaft e vështirë.