KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll për Meshkuj, ekipi i Studentit shpallet kampion
studenti tirana volejboll meshkuj finalja play off STUDENTI I TRAJNERIT TOMORI SHPALLET “KAMPION”

Volejboll për Meshkuj, ekipi i Studentit shpallet kampion

Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka luajtur të mërkurë në mbrëmje aktin e tretë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, që ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që rivalizojnë në këtë vitet e fundit, Studentin dhe Tiranën. Dhe “rrjeta” e meshkujve e kurorëzuar mbrëmë kampionen e re, pasi Studenti i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, i cili i kishte fituar dy takimet e para, ka vijuar të mos gabojë, duke e fituar edhe ndeshjet e tretë me rezultatin 3-1 dhe duke u shpallur “kampione” e Shqipërisë. Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Sfida e së mërkurës, që u luajt në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, paraqiste shansin e fundit për bardheblutë e drejtuar nga trajneri Ilo Koja, për të mbajtur gjallë shpresat e tyre të vakëta për titullin “kampion”. Por, nuk ka ndodhur kështu, sepse Studenti e ka fituar setin e parë 25-17 dhe, ndonëse Tirana fiton të dytën 25-23, skuadra e trajnerit Tomori fiton dy të tjerët, përkatësisht 25-16 dhe 25-15, dhe gjithë takimin 3-1. Ky ishte titulli i 5-të radhazi dhe i 16-ti gjithsej për Studentin, ndërsa kapiteni i kësaj skuadre, Elton Tukseferi, ka ulur siparin e karrierës së tij në moshën 41-vjeçare.