KRYEFAQJA » LAJME » Vota e të rinjve
Vota e të rinjve

Vota e të rinjve

Shqipëria ju është bashkuar aktiviteteve mbarëbotërore në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve. Në një aktivitet të zhvilluar në Tiranë, një bashkëpunim mes KQZ dhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, drejtuesit e tyre Lefteri Luzi dhe Blendi Klosi, bënë thirrje që të rinjtë shqiptarë të jenë protagonistë në zgjedhjet që zhvillohen në vend.
“Të rinjtë duhet të angazhohen gjerësisht në proceset demokratike” tha kryetarja e KQZ Lefteri Luzi. “Përfshirja e të rinjve në proceset zgjedhore është një kontribut i çmuar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme” tha ajo.
Nga ana e tij ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi bëri thirrje për pjesëmarrje të të rinjve në procesin e votimit, pasi “… është e rëndësishme të votojmë e të jemi pjesëmarrës në vendimarrjes politike…”.
Prej kohësh partitë politike shqiptare, po i kushtojnë një vemendje të posaçme marrëdhënieve me të rinjtë. Sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015, votuan për herë të parë 143 mijë të rinj, ç’ka partitë i shikojnë si vota potenciale. Në këtë konteks ato po forcojnë vazhdimisht forumet e tyre rinore për të patur sa më shumë mbështetës.
Këto zhvillime duken edhe si përgatitje serioze për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që parashikohen të mbahen në mesin e vitit 2017. Aktualisht forcat politike kanë ndërmarrë një reformë zgjedhore e cila do të aplikohet në këto zgjedhje.