KRYEFAQJA » LAJME » Vrasja mafioze, arrestohet punonjësi i SHISH
Vrasja mafioze, arrestohet punonjësi i SHISH

Vrasja mafioze, arrestohet punonjësi i SHISH

Një oficer i shërbimit inteligjent shqiptar, SHISH, është arrestuar nga policia të enjten pasi dyshohet se ka qenë implikuar në një atentat mafioz ndodhur pak ditë më parë afër Fierit, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Lajmi është dhënë nga zyrtarë të lartë të policisë kriminale. Sipas tyre ka dyshime se oficeri i SHISH ka furnizuar me informacion personin që dyshohet se është autori i atentatit. Akuza e formuluar ndaj tij është për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim me bandat kriminale.
Ndalimi i punonjësit të shërbimit inteligjent, shton më tej dyshimet se në strukturat që luftojnë krimin, bandat kriminale kanë të infiltruarit e tyre. Këto ngjarje madje janë shfrytëzuar nga politika. Në varësi të qenit në pushtet apo opozitë, partitë politike herë pas here kanë sulmuar kundërshtarët e tyre si frymëzues dhe udhëheqës të krimit të organizuar në Shqipëri. Aktualisht në qendër të akuzave është vënë ministri aktual i punëve të brendshme Saimir Tahiri, por ai vazhdimisht i ka hedhur poshtë ato.