KRYEFAQJA » LAJME » Vrasje në Vlorë
Vrasje për hakmarrje në Vlorë

Vrasje në Vlorë

Dy të vrarë dhe një i plagosur, është bilanci i një ngjarje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Vlorës. Ata janë gjetur nga policia pranë një pike bastesh sportive, pasi banorët e lagjes “Partizani” lajmëruan për të shtëna të gjata me armë. Viktimat janë Ilir Deromemaj, 45-vjeç dhe Dhimitër Cani, 60 vjeç, që të dy nga Vlora, ndërsa i plagosuri është 50-vjeçari Krenar Runaj. Sipas të dhënave të para, mendohet që në shënjestër ka qenë 45-vjeçari Deromemaj, i cili është akuzuar për një vrasje afro 20 vjet më parë. Nuk dihet nëse viktimat e tjera janë ndodhur rastësisht apo kanë lidhje me ngjarjen. Policia e Vlorës ka organizuar pika kontrolli në të gjithë qytetin. Ajo ka ndaluar të paktën shtatë persona dhe ka gjetur të djegur një makinë që mendohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes. Kjo është ngjarja e dytë që trondit Vlorën brenda pak ditëve. Në fillim të muajit një filial banke në qendër të qytetit u vodh nga persona ende në kërkim.