KRYEFAQJA » LAJME » Vuçiç do të mungojë në “Elbasan Arena”
Vuçiç: Serbia në zgjedhje të parakohshme më 24 prill

Vuçiç do të mungojë në “Elbasan Arena”

Përfundimisht kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, nuk do të jetë në mbrëmje në “Elbasan Arena”. Arsyet ai i ka spjeguar në një letër publike, përmbajtjen e së cilës e ka bërë të ditur e përditshmja e Beogradit “Blic”. Zoti Vuçiç, në adresë të të cilit kryeministri Rama ka drejtuar disa ftesa për të qenë i pranishëm ne takimin Shqipëri – Serbi, vlerëson se “Në përputhje me rrethanat, dhe për shkak të politizimit të jashtëzakonshëm të një ngjarje sportive, pas disa bisedave telefonike me kryeministrin Rama, kam vendosur të mos udhëtoj në Elbasan”. “Si kryeministër i Republikës së Serbisë dënoj fuqishëm sulmin e huliganëve për lojtarët tanë dhe bëj thirrje autoriteteve shqiptare dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë, të cilët janë të pranishëm në këtë ngjarje sportive, për të siguruar sigurinë e plotë përpara, gjatë dhe pas kryerjes së ndeshjes” shkruan zoti Vuçiç lidhur me ngjarjen e së mërkurës, kur një 14 vjeçar goditi me një mjet të fortë autobuzin me të cilin kombëtarja serbe po udhëtonte nga Rinasi për në Tiranë. Kryeministri serb u uron lojtarëve të tij “…sukses dhe fitore, por para së gjithash luftoni për emblemën dhe flamurin e Serbisë. Do të shtoja se pavarësisht rezultatit, si kryeministër u uroj atyre shumë fitore në të ardhmen” shprehet zoti Vuçiç.
Në letrën e tij publike kryeministri serb vlerëson marrëdhëniet me Shqipërinë veçanërisht muajt e fundit. “Serbia dhe Shqipëria kanë punuar për mirëkuptimin reciprok dhe krijimin e kontakteve të rregullta që kontribuojnë për një bashkëpunim më të mirë politik dhe ekonomik mes dy vendeve, pas dekadash heshtjeje dhe armiqësie te ngrirë. Ne kemi filluar të flasim për projekte të mëdha dhe të rëndësishme, të tilla si ndërtimi i autostradës Nish-Durrës dhe Beograd-Podgoricë-Tiranë-Shkodër” shënon zoti Vuçiç. “Unë e di mirë se është ende më e lehtë dhe më popullore për të ngritur tensionet, sepse është gjithmonë e lehtë për të zgjedhur rrugën e rezistencës më pak dhe për të lidhur veten me urrejtje në vend të perceptimit racional të së ardhmes. Megjithatë, unë besoj se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe udhëheqja e Serbisë, permes shkëmbimit të studentëve më të mirë, i dërgojme një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për popullin tonë, por edhe në të gjithë botën, që duken serioz dhe të përgjegjshëm në të ardhmen e rajonit” shkruan në letrën e tij publike kryeministri serb Aleksandar Vuçiç duke spjeguar mungesën në takimin futbollistik Shqipëri – Serbi.