KRYEFAQJA » LAJME » Vuçiç: “Nuk e kuptoj veprimin e Prishtinës për Trepçën”
kuvendi i kosoves, ligji per trepcen, serbi, reagimet, vucic, konference

Vuçiç: “Nuk e kuptoj veprimin e Prishtinës për Trepçën”

Qeveria e Kosovës i konsideron të kota dhe të pakuptimta reagimet në Serbi në lidhje me miratimin e Ligjit për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës. Për autoritetet në Prishtinë, deklaratat e kreut të qeverisë serbe se do të anulojë vendimet e Prishtinës, që lidhen me Trepçën, janë pa efekt juridik dhe praktik. Me heret qeveria e Serbisë vendosi anulimin e të gjitha pasojave ligjore dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me statusin e Trepçës. Kryeministri Aleksander Vuçic, tha ne nje konference per shtyp se “nuk e kupton veprimin e Prishtinës për Trepçën”. “Nuk e kuptoj se çka kanë arritur me këtë?! Çfare dëshirojnë të fitojnë dhe të bëjnë?! Cila është ideja, që të thonë se e gjithë prona është e tyre?! – Nuk është”, ka theksuar kryeministri serb Vuçic, duke shtuar se Trepça është e një rëndësie jetike për mbijetesën e veriut të Kosovës. Sipas tij autoritetet në Prishtinë, nuk mund të grabisin Trepçën. “Ne nuk lejojmë që të preket e drejta për pronën”, tha Vucic. Kuvendi i Kosovës ka miratuar javën e kaluar Ligjin për Trepçën. Trepça, sipas ligjit, do të organizohet si shoqëri aksionere, në të cilën aksioner kryesor do të jetë Qeveria me 80 për qind të aksioneve, dhe 20 për qind do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës. Ky ligj ka ngjallur kundërshtime te partnerët në koalicionin qeverisës, Lista Serbe. Pas këtij vendimi ata kanë ngrirë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e vendit.