KRYEFAQJA » LAJME » Vuçiç: Serbia në zgjedhje të parakohshme më 24 prill

Vuçiç: Serbia në zgjedhje të parakohshme më 24 prill

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 24 prill, pothuajse në gjysmën e mandatit të tij, dhe theksoi se do të bëjë thirrje për mbështetje për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Do të jetë një referendum për atë se a dëshiron Serbia të jetë shtet modern evropian në vitin 2020, pra a dëshiron të ardhmen apo të shkuarën ”, tha zoti Vuçiç në deklaratën për Televizionin shtetëror të Serbisë, RTS. Në Serbi, opozita është mjaft e copëzuar dhe Partia Progresiste e Vuçiçit, është favorite kryesore, madje synon të fitojë dy të tretat e vendeve në Parlament, shumicë të cilën nuk arriti ta fitoje në zgjedhjet e vitit 2014. Aleksandër Vuçiçi tha se i duhet një mandat i plotë katërvjeçar për reformat që do ta vendosin Serbinë fuqishëm në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por ai shtoi se krahas zgjedhjeve parlamentare nuk do të mbahet ndonjë referendum lidhur me antarësimin apo jo të vendit në NATO. “Nuk kemi bërë ndonjëherë kërkesë për në NATO prandaj nuk ka pse mbahet referendum për këtë. Ne mbetemi vend asnjanës nga ana ushtarake. Respektojmë SHBA-në dhe Rusinë, duam të hyjmë në BE, por më shumë duam Serbinë”, tha kryeminstri serb Aleksandër Vuçiç.