KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Zbulohet planeti i nëntë?
Zbulohet planeti i nëntë?

Zbulohet planeti i nëntë?

Një planet i madh që deri tani ishte i panjohur, i mbuluar nga errësira dhe shumë larg Diellit për ta përcjellur dritën, dhe i emëruar përkohësisht Planeti Nëntë, mund të jetë zbuluar në kufinjtë e sistemit diellor. Këtë e kanë njoftuar shkencëtarët amerikanë të Universitetit CalTech, të cilët kanë publikuar një studim në revistën shkencore mujore Astronomical Journal rreth këtij trupi qiellor misterioz.

Sipas studimit ky objekt “ka një masë 10 herë më të madhe se ajo e Tokës dhe e ka orbitën në një largësi 20 herë në të madhe sesa ajo e Neptinit”, planeti më i largët i sistemit diellor pas rënies në klasifikim të Plutonit si planet xhuxh.

Studiuesit e Institutit Kalifornian të Teknologjisë (California Institute of Technology, shkurt CalTech) flasin për një orbitë “të çuditshme, shumë të gjatë dhe të largët”. “Në fakt këtij planeti i duhen nga 10.000 deri në 20.000 vjetë për të bërë një rrotullim të plotë rreth Diellit”.

Kërkuesit Konstantin Batygin dhe Mike Brown shpjeguan se e gjetën planetin nëpërmjet modeleve matematike dhe simulimeve të bëra me kompjuter, por që nuk e kanë parë asnjëherë drejtpërdrejtë. Trupi qiellor ka një masë rreth 5.000 herë më të madhe se ajo e Plutonit. “Duket me të vërtetë një planet i nëntë”, tha Brown, profesor i astronomisë planetare. “Është një pjesë përbërëse e sistemit tonë diellor që ka nevojë të gjehet, dhe kjo është një gjë me të vërtetë emocionuese”.