KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet e 18 qershorit, opozita këmbëngul në votimin dhe numërimin elektronik
Zgjedhjet e 18 qershorit, opozita këmbëngul në votimin dhe numërimin elektronik

Zgjedhjet e 18 qershorit, opozita këmbëngul në votimin dhe numërimin elektronik

Opozita shqiptare duket se ka vendosur ta kthejë në “kalë beteje” votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Pas një takimi të mërkurën mes partive të opozitës në parlament, por edhe jashtë tij, Lulzim Basha kreu i PD, ka konfiguruar qendrimin e tyre për këtë çështje. “Votimi elektronik, numërimi elektronik, kufizimi i financimeve, kufizimi mediatik” janë pika kyçe tha ai. Sipas kreut të opozitës për zgjedhjet e ardhshme duhet të vendosë vullneti qytetar dhe jo ai kriminal. “Sot kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare, që vjen pas një koordinimi paraprak edhe me opozitën joparlamentare, dhe kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët. Nuk mund të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar, por vullneti i qytetarëve” tha zoti Basha. Ai akuzoi qeverinë se ka sabotuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Opozita ka paraqitur një platformë që prej 17 majit dhe që atëtherë Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakord për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët” përsëriti zoti Basha.