KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet e reja presidenciale
Zgjedhjet e reja presidenciale

Zgjedhjet e reja presidenciale

Politika shqiptare duket se po shikon mundësinë e ndryshimit të formulës së zgjedhjes së presidentit të republikës, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që pritet të mbahen pas dy vjetësh. Kjo është zbuluar nga Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, deputeti socialist Fatmir Xhafa gjatë një komunikimi me gazetarët lidhur me procesin që po kryehet për të reformuar drejtësinë shumë problematike shqiptare. “Ka dy opsione në strategji: Të mbetet kështu ose të kthehet në formulën që është pasur” tha zoti Xhafa . Sipas tij ekspertët kanë arritur në përfundimin se ndryshimi i formulës me të njëjtat kompetenca ka prishur ekuilibrat ndërmjet pushteteve, ka dobësuar rolin e presidentit ndërkohë që ka ruajtur të njëjtat kompetenca ose ka devijuar nga fryma e kushtetutës. “Nga formula e zgjedhjes varet dhe kompetencat që do të ketë presidenti i Republikës. Nuk mund të thuash që unë do të zgjidhem me 71 vota dhe të kem kompetencat e një të zgjedhuri nga populli, ndryshon ke mandat tjetër besimi dhe ndikimi. Nëse do të pranohet formula e zgjedhjes me 3/5 presidenti do të ketë më shumë kompetenca. Le ta vendosë politika” tha zoti Xhafa. Zyrtari i lartë socialist ka pranuar se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, të miratuara me iniciativën e dy partive të mëdha, PD në atë kohë në pushtet dhe PS në opozitë, dhe të kundërshtuar ashpër nga një pjesë e politikës dhe opinionit, sollën një proces që nuk ishte i përshtatshëm dhe me standardet e gjithëpranuara në këtë fushë. Nga deklarimet e kreut të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, lihet të kuptohet se varianti i zgjedhjes së presidentit nga populli, nuk është një mundësi që politika shqiptare po e merr në konsideratë. Megjithatë në opinionin politike dhe atë publik një mundësi e tillë është debatuar vazhdimisht. Kjo dhe për faktin se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato për presidentin e vendit koinçidojnë për tu mbajtur në verën e vitit 2017.