KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet në Dibër: PS denoncon dhunën

Zgjedhjet në Dibër: PS denoncon dhunën

Shtabi Elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” Muharrem Rama, denoncon një ngjarje kriminale të ndodhur të enjten në fshatin Pilafe. Në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se militantë të Partisë Demokratike kanë dhunuar barbarisht administratorin e komunës Tomin, 56 vjeçarin Nuri Meda në një kohë kur ai ishte në kryerje të detyrës së tij. Meda ndodhet aktualisht në Spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë. “Dhunimi është kryer në kohën kur disa eksponentë të Partisë Demokratike me në krye Dritan Selishtën dhe grupin e koordinuar nga Agron Kuliçi ishin në veprim duke shpërndarë para për të blerë vota. Të kapur në flagrancë ata kanë goditur barbarisht administratorin e komunës Tomin” , thuhet me tej në njoftimin e Shtabit Elektoral të kandidatit Rama. Gjatë fushatës elektorale në Dibër nuk kanë munguar dhe akuzat për dhunë e kërcënime nga të dyja kampet në garë.