KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet në Kolonjë, e majta drejt përzgjedhjes së kandidatit
Opozita premton në Kolonjë: Ne do t'ju kthejmë dinjitetin!

Zgjedhjet në Kolonjë, e majta drejt përzgjedhjes së kandidatit

Ilia Tepo mendohet të jetë kandidati me të cilin Partia Socialiste do të kërkojë votat e kolonjarëve në zgjedhjet e pjesshme lokale të 20 Nëntorit për Bashkinë e Kolonjës. Emri nuk është ende zyrtar, por burimet pranë selise rozë thonë për Televizionin Publik se mjeku Tepo konsiderohet si një nga emrat favorite.
Të tjera burime informacioni pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar, bëjnë të ditur se kandidati i të majtës për Bashkinë e Kolonjës do të jetë kandidat i përbashkët i koalicionit qeverisës. Gjithçka do të mësohet të hënën në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste, ndërsa fushata do të drejtohet nga Zv. Kryeministri Niko Peleshi.
Ndërkohë pritet të mësohet se cili do të jetë kandidati i opozitës për zgjedhjet e 20 nëntorit. Në media kanë qarkulluar emrat e kandidatëve të zgjedhur nga partitë aleate të PD, kryesisht të PAA. Ka shumë mundësi që edhe kjo parti të zgjedhi një kandidat me orgjinë nga e majta, pasi edhe zona është konsideruar si bastion i saj.
Bashkia e Kolonjës drejtohej nga socialistët, por ndarja e papritur nga jeta e ish kryebashkiakut Arben Malo më 25 shtator të këtij viti, krijoi këtë boshllëk që detyron zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që partitë politike shqiptare matin forcat në zgjedhjet lokale. Më 11 shtator u zhvilluan zgjedhjet në Dibër, ku e majta fitoi me një diferencë prej 4000 votash. Ashtu si dhe zgjedhjet e Dibrës, edhe zgjedhjet e Kolonjës, pritet të konsiderohen si një test në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Maxhoranca e majtë e kryeministrit Rama synon një rikonfirmim të mandatit, ndërsa opozita e djathtë rikthimin në pushtet pas katër vjetëve në opozitë.