KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet në Kolonjë, pretendime për shitblerje të votës
Zgjedhjet në Kolonjë, pretendime për shitblerje të votës

Zgjedhjet në Kolonjë, pretendime për shitblerje të votës

Në Kolonjë vazhdojnë votimet për kreun e ri të Bashkisë. Pjesmarrja në zgjedhje deri në orën 13, sipas KQZ i ka kaluar 36 përqind. Veç këtij komisioni që ka bërë thirrje për pjesmarrje në votime, thirrje kanë drejtuar edhe dy kandidatët garues, mjeku Ilia Stefo dhe agroambjentalisti Dritan Hajro.

Partitë politike po i ndjekin nga afër votimet. Nga opozita ka patur njoftime se po tentohet blerja e votës. Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, citohet të ketë thënë se po përsëritet skema e zgjedhjeve në Dibër duke bërë presion me anë të policisë. Por sipas tij “janë një reagim i një force që po ndjen humbjen”. Por për Taulant Ballën në Kolonjë po zhvillohet një proces shumë i mirë dhe demokratik. Sipas zotit Balla “qytetarët do të mbështesin vazhdimin e projekteve për zhvillimin e kësaj zone”.

Zgjedhjet në Kolonjë janë zgjedhjet e dyta të parakohshme në harkun kohor të më pak se dy muajve në Shqipëri. Më 11 shtator zgjedhje të ngjashme u mbajtën në Bashkinë e Dibrës, pasi ish kreu i bashkisë i përzgjedhur nga PS, u shkarkua pas publikimit të një afere ku ai kërkonte favore seksuale në shkëmbim të një vendi pune.  Ato u shoqëruan me nje fushatë të ndezur elektorale nga maxhoranca dhe opozita. PS dhe aleatë e saj fituan me një rezultat të thellë me mbi 4000 vota, shumë më tepër sa sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2015. Opozita e djathtë e akuzoi maxhorancën e majtë për bashkëpunim me segmentet kriminale.