KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës, kandidati i majtë Rama takime në Kastriot
rama ne kastriot

Zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës, kandidati i majtë Rama takime në Kastriot

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama, ka vijuar takimet me banorët e njësisë së Kastriotit, ku ka bërë premtime për projekte konkrete në disa sektorë. “Kemi projekte konkrete për Kastriotin, kemi projekte edhe në Bujqësi. Të krijojmë një qendër grumbullimi frutash, të krijojmë një baxho, të përmirësojmë shërbimin e kanaleve vaditëse e ujërave të zeza dhe do të ndërtojmë një ujësjellës. Kemi edhe një premtim të mbaruar pasi kemi dhe ministrin në krah. Do të hapim një qendër për kujdesin ndaj klientit që të mos shkoni të paguani faturat në Peshkopi por ta keni këtu. Jemi në diskutime me Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë edhe një ambulancë që të jenë për të ju ardhur në ndihmë të sëmurëve, e jo të detyroheni ti sillni me furgona e makina çasti”, u shpreh kandidati Rama. Por koordinatori i Partisë Socialiste në Dibër, Damian Gjiknuri, duke u ndalur në akuzat që opozita po i bën Ramës, tha se ata kanë frikë nga kandidatura e socialistëve dhe prandaj po përpiqen që ta njollosin figurën e tij. “Po duan të njollosin personalitetin e doktorit që ju të gjithë e njihni. Po thonë ka qenë trafikant droge ndërkohë që populli e njeh shumë mirë. Kjo tregon që ata kanë frike nga kandidatura e Muharemit. Pse? Sepse ne zgjodhëm një djalë të këtij vendi, që është rritur këtu, që I njeh problemet tuaja. Një njeri që ja dini shtëpinë, dini ku të trokisni. Kryebashkiaku nuk do të bëjë politikën e madhe, siç vjen kandidati tjetër thotë do ul taksa e do bëj subvencione. S’ka gjë në dorë ai. Kur të vijë partia e vet në pushtet mbase mund ti bëjë këto por kur ti vijë ama sepse ditët i ka të largëta. Partia Demokratike është në një çorganizim”, u shpreh Gjiknuri. Ne emër të qeverisë, Gjiknuri dha garancinë se premtimet e bëra nga kandidati Rama do të mbahen dhe bëhen realitet për Dibrën.