KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, zyrtarizohen shtatë kandidatura
Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, zyrtarizohen shtatë kandidatura

Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, zyrtarizohen shtatë kandidatura

Më në fund janë shtatë kandidatë që do të garojnë për të marrë detyrën e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e 26 shkurtit 2016. Komisioni zgjedhor bëri të ditur sot që kandidatët që synojnë të zëvendësojnë Sepp Blatter janë princi Ali Bin Al Hussein i Jordanisë, presidenti i Federatës libiane Musa Hassan Bility, ish-zëvendëssekretari i përgjithshëm i FIFA-s Jérôme Champagne, Michel Platini dhe Gianni Infantino, respektivisht president dhe sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, sheiku i Bahreinit dhe numri një i Konfederatës aziatike Salman Bin Ebrahim Al Khalifa dhe Tokyo Sexwale, aktivist i antiaperteidit (shok burgu i Nelson Mandelës) dhe sot politikan dhe bisnesmen afrikanojugor. Në krahasim me lajmërimet e ditëve të shkuara, nuk ka asnjë gjurmë të 51-vjeçarit David Nakhid, mesfushor i Trinidad e Tobagos, që thoshte se kishte mbështetjen e Federatave karaibike.

Komisioni zgjedhor i FIFA-s do të vazhdojë tani me vlerësimin e kandidaturave, duke patur edhe mbështetjen e Dhomës së Hetimeve të Komitetit Etik të FIFA-s, për të përcaktuar më pas se kush mund të hyjë apo jo në garën zgjedhore. Ky lloj vlerësimi nuk mund të bëhet tani për tani për kandidaturën e Michel Platini, meqë vazhdon pezullimi prej 90 ditësh që ka marrë nga Komiteti Etik i FIFA-s për çështjen e famshme tashmë të dy milionë frangave zvicerane që ka marrë nga Blatter në vitin 2011 por për punën që ka bërë për FIFA-n nga viti 1999 deri në vitin 2002, objekt hetimi ky nga Prokuroria e Përgjithshme zvicerane. Nga Zyrihu bëjnë të ditur se në çastin që pezullimi të përfundojë ose të anullohet para zgjedhjeve, Komisioni do të vendosë se si do të vazhdohet të veprohet në drejtim të tij.