KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Zv.presidenti amerikan Bajden,nëse Irani dhunon paktin, ne do të veprojmë

Zv.presidenti amerikan Bajden,nëse Irani dhunon paktin, ne do të veprojmë

Në një fjalim të mbajtur para 18 mijë aktivistëve proizraelitë, zëvëndëspresidenti amerikan Xho Bajden mbrojti marrëveshjen nukleare të arritur me Iranin vitin e shkuar, një qëndrim ky që nuk pati shumë mbështetje nga audienca. Shumë krerë të komunitetit izraelito-amerikan kanë shprehur kundërshtinë e tyre për marrëveshjen e arritur mes SHBA-ve, aleatëve dhe Iranit për programin nuklear të Teheranit, sepse nuk besojnë në liderët iraniane të cilët kanë deklaruar se do të sulmojnë Izraelin. Duke folur në konventen vjetore të komitetit izraelito-amerikan, Bajden u shpreh se SHBA-të po e mbajnë Iranin nën vëzhgim. “Nëse Irani dhunon marrëveshjen, SHBA-të do të veprojnë. Angazhimi ynë është i qartë”, deklaroi zevëndëspresidenti amerikan, i cili sqaroi se sanksionet e tjera të vendosura për mbështetjen që Irani i ka dhënë terrorizmit dhe ato në lidhje me programin e raketave balistike, janë akoma në fuqi. Bajden gjithashtu dënoi sulmet e ndërmarra nga palestinezët kundër Izraelit. “Nuk ka justifikim për vrasjen e të pafajshmëve apo për heshtjen ndaj terrorizmit”, theksoi ai, duke shtuar se mes izraelitëve dhe palestinezëve nuk ekziston vullnet politik për të zhvilluar negociata serioze, gjë që e konsideroi shumë serioze.