KRYEFAQJA » LAJME » Zvizdiç dhe Vuçiç: Vendet e rajonit të bëjnë gjithçka që në Ballkan të mos ketë më luftë!
Zvizdiç dhe Vuçiç: Vendet e rajonit të bëjnë gjithçka që në Ballkan të mos ketë më luftë!

Zvizdiç dhe Vuçiç: Vendet e rajonit të bëjnë gjithçka që në Ballkan të mos ketë më luftë!

Kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiç dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç deklaruan të mërkurën në Sarajevë se vendet e rajonit duhej të bënin gjithçka në mundësinë e tyre për të siguruar që Ballkani të mos përjetonte më luftra. ”Asnjë shtet i rajonit nuk po përgatit ndonjë konflikt të armatosur”, theksuan ata. Deklarata e tyre erdhi pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh për përplasje të mundshme të armatosura mes vendeve të Ballkanit, nga ku kalojnë tranzit pjesa më e madhe e refugjatëve, në rast se Gjermania do të mbyllë kufirin me Austrinë, njofton AFP. “Tashmë në vendet perëndimore të Ballkanit ekzistojnë tensione dhe nuk dëshiroj që të arrihet deri në përplasje ushtarake në këto vende”, deklaroi të hënën në mbrëmje kancelarja gjatë një takimi të CDU-së në Darmstadt, cituar nga mediat gjermane. Nga ana e tij kryeministri serb Vuçiç tha se deklarata e kancelares ishte mjaft e kuptueshme, e bërë nga dëshira për të parandaluar një skenar të tillë. ”Ne i kuptuam deklaratat e zonjës Merkel në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi zoti Vuçiç. ”Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të siguruar që Ballkani të mos përjetojë më luftra apo gjëra të ngjashme”,tha Aleksandar Vuçiç.