KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Zyrtarët botërorë reagojnë pas emërimit të Xhonsonit si Sekretar i Jashtëm i Britanisë

Zyrtarët botërorë reagojnë pas emërimit të Xhonsonit si Sekretar i Jashtëm i Britanisë

Në ditën e parë të punës si kryeministre britanike, Tereza Mei ka vijuar formimin e qeverisë së saj, me lëvizje, largime dhe emërime të reja, disa prej të cilave nuk kanë ngelur pa u komentuar edhe nga zyrtarë të shteteve të tjera. Filip Hamond nuk do të jete më Sekretar i Jashtëm, por kancelari që do të merret me financat e vendit. Në vendin e Sekretarit të Jashtëm, do të jetë i fortkontestuari Boris Xhonson, i cili është konsideruar si përgjegjës për daljen e vendit nga Bashkimi Europian. Emërimi i Xhonson nuk u mirëprit nga homologu i tij francez Ajro, i cili tha se Xhonson është thjesht një gënjeshtar. Për Ajro, emërimi i Xhonson dëshmon krizën politike që po përjeton Britania pas referendumit pqr daljen nga blloku europian, ndërsa shtoi se Franca kishte nevojë për një partner me të cilin të negocionte në mënyrë të qartë dhe të besueshsme. Komentet për Xhonson nuk i ka kursyer as ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier, i cili pak para emërimit të Xhonson, tha se ky i fundit ishte i papërgjegjshëm sepse pasi nxorri vendin nga Bashkimi Europian, nuk mbajti më përgjegjësinë që i takonte. Që pas referendumit, Xhonson është bërë shpesh shënjestër e sharjeve të politikanëve britanikë dhe europianë, por mbetet për t’u parë sesi do të sillet ai në punët e jashtme të Britanisë, duke qenë se shpeshherë ka zënë titujt kryesorë të gazetave për sharjet dhe ofendimet drejtuar liderëve dhe politikanëve botërorë.