KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Zyrtarët e Kosovës dënojnë sulmet terroriste në Stamboll, ngushëllojnë popullin turk
istanbul-ataturk-airport

Zyrtarët e Kosovës dënojnë sulmet terroriste në Stamboll, ngushëllojnë popullin turk

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas sulmeve të mbrëmshme në aeroportin “Ataturk” në Stamboll i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Në këtë telegram ngushëllimi të presidentit Thaçi thuhet se sulmet terroriste në aeroportin “Ataturk” në Stamboll janë të papranueshme dhe thellësisht të dënueshme. “Asgjë nuk mund të arsyetojë përdorimin e dhunës dhe marrjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm”, shkruan presidenti Thaçi, duke u shprehur thellësisht i tronditur nga dhimbja e shkaktuar, nga shkatërrimi dhe terrori i përhapur. “I shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, Presidentit të Turqisë, Qeverisë dhe tërë popullit mik të Turqisë”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentit Thaçi. Edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dënuar sulmet terroriste në Stamboll, ndërkaq tha se Kosova është tronditur nga këto sulme. Ai i ka shprehur ngushëllime shtetit dhe popullit turk. “Kosova është tronditur dhe i dënon sulmet terroriste në Stamboll. Ngushëllime popullit turk dhe Qeverisë Turke”, shkruan kryeministri Mustafa në rrjetin social Twitter. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot për sulmet terroriste që ndodhën në Stamboll. Veseli konsideron se sulme të tilla nuk janë vetëm kundër sigurisë së Turqisë, por edhe më gjerë në shkallë globale. Kreu i PDK-së ka thënë se ndanë dhimbjen me shtetin mik, Turqinë, si aleat në luftën kundër terrorizmit.