KRYEFAQJA » Pa Kufij

Pa Kufij

Emisioni sot

E Enjte, 2 Qershor 2016.  Ora 16:30-18:00.

Tema: “Sezoni turistik në të tri vendet tona”

Të ftuar :
Sonja POPA, Drejtore e  Përgjithshme e  Zhvillimit të Turizmit

Mixcloud


Rreth emisionit

Emisioni “Pa Kufij” është bashkëprodhim i radiove publike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ky program, i cili ka filluar të realizohet nga 1 Maji 2009, është bërë tribunë e rëndësishme e debatit për çështje me interes publik në të tri vendet tona. Synimi për një rol më të avancuar shoqëror të medias dhe nevoja për një ridefinim të marrëdhënies me audiencën, kanë qenë motivet e para të idesë për projektin.

Realizimi i idesë për një program rajonal kërkoi të bëj vend për transformin shoqëror në vendet tona, sidomos në dekadën e parë të këtij shekulli, kur ka ndryshuar edhe kërkesa e audiencës. Ishte vizioni i përbashkët dhe mbështetja nga Radio Tirana, Radio Kosova, Radio Shkupi, që mundësuan fillimin e programit më 1 Maj 2009. Pas shumë diskutimeve në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, u vendos starti i “Pa Kufij” në Maj 2009.

Në të kaluarën tonë jo të largët “kufijtë” ishin sinonim i mbylljes, izolimit, i barrierave që pamundësonin komunikimin. Ata nuk ishin vija gjeografike për ndarjen e territorit, por mure të pakalueshme për qytetarët. Historia jonë kishte rritur distancën mes njerëzve, ndërsa trendet e reja kërkonin integrim. Prandaj, projekti do të konsistonte pikërisht në “ura” të komunikimit ndër qytetar mes Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.

Programi “Pa Kufij” i transmetuar në kohë reale në frekuencat e Radio Kosovës, Radio Tiranës dhe Radio Shkupit i realizuar me cilësi të lartë tonike, programi ka dimension rajonal, qëllimi i tij është trajtimi i temave me interes të përbashkët publik duke fokusuar posaçërisht sfidat e integrimit evropian, ndërsa synon të zhvillohet në forum radiofonik të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Realizimi me sukses i ciklit special “Pa Kufij” është përpjekja më e mirë drejt integrimeve rajonale e globale. Panelet kompetente në studiot e Radio Tiranës, Radio Kosovës dhe Radio Shkupit, kanë trajtuar tema me interes nga fusha të ndryshme si politika, ekonomia, kultura, etj.

Reagimi i audiencës ka qenë jashtëzakonisht pozitiv, gjë që nënkupton ndikim në opinionin publik, ndonëse nuk janë bërë matje për impaktin socio-politik. Megjithatë, duke u bazuar në rritjen e vazhdueshme të numrit të dëgjuesve në internet konstatojmë se dëgjueshmëria ka shënuar rritje progresive. Duke parë suksesin e arritur dhe efektin pozitiv të përpjekjeve të tilla në rrjetin e radiove publike të vendeve tona, bashkëprodhuesit e programit “Pa Kufij” janë duke shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe me radio të tjera publike në rajon, si Radio Athinën, Radio Podgoricën, Radio Sarajevën, e Radio Beogradin.

Duke zgjeruar bashkëpunimin synojmë të ecim drejt një reviste evropiane radiofonike. Në këtë mënyrë, përveç se do t’i informonim dëgjuesit tanë, do të kultivonim edhe diversitetin brenda vlerave të përbashkëta dhe do të shëronim inferioritetin e të voglit apo ndjenjën e të qenit jashtë komunitetit.

Driada Hoxha Sinani është gazetare në radio Tirana prej vitit 2009. Bashkëpunimi me institucionin e Radio Tiranës ka nisur ne vitin 2006 me programet e mëngjesit. Sot ajo drejton emisionin “Ekonomia Sot” dhe rrjetin “Pa Kufij”. Përgjatë viteve është angazhuar me emisione të ndryshme rinore, me tematika kulturore. Gjithashtu ka përvoje me Televizionin Shqiptar në realizimin e dokumentarit “Ti Shqipëri më jep nder” dhe reportazhin “Notat Shqiptare”, në Londër.  Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për gazetari dhe studimet pas universitare për Shkenca Komunikimi.

Në shtator 2015 ka ndjekur programin për gazetare “Reham Al Farra”, në New York pasi është përzgjedhur nga Drejtoria e Informacionit në Kombet e Bashkuara në bazë të një konkursi i cili përfshin 35 vende të ndryshme të botës.

Galeri

« 1 of 2 »
Kthehu Pas