KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “3 harqet” në Muzeun Historik Kombëtar

“3 harqet” në Muzeun Historik Kombëtar

Një ekspozitë e veçantë po qëndron e hapur prej pak ditësh në Muzeun Historik Kombëtar. E titulluar “3 harqet”, ekspozita mban firmën e bashkëpunimit të dy artistëve, piktorit shqiptar Enkelejd Zonja dhe skulptorit francez Klod Pelaton. Veprat e tyre qëndrojnë në krah të njëri-tjetrit duke kofirmuar edhe një herë bashkëpunimin e suksesshëm mes dy artistëve. Ndërsa skulptori francez Pelaton e merr frymëzimin nga urat e vjetra, që ai ka parë në Shqipëri, artisti Zonja e merr frymëzimin nga e shkuara e Shqipërisë. Për artistin nga Franca urat në vendin tonë kanë elemente specifike, që shërbejnë si motiv për realizimet artistike nga ana e tij.
Që nga titulli “3 harqet”, artistët sjellin urën e bashkëpunimit jo vetëm kulturor mes Francës dhe Shqipërisë, por edhe mes krijimeve të tyre. Ideja e ekspozimit se bashku ka qenë e Pelatonit, ndërkohë që nga krijimtaria e Zonjës në ekspozitë janë vetëm 4 punime. Ky i fundit do ta vijojë idenë e këtij alternimi mes artit francez dhe atij shqiptar, në një tjetër ekspozitë, por këtë herë në Francë.
Piktori i ri Enkelejd Zonja njihet nga publiku shqiptar si fitues i trofeu të Konkursit të Pikturës së Artit bashkëkohor në Shqipëri, “Live Art 2013” me vepren “Kabareja e shallit te kuq”.