KRYEFAQJA » LAJME » Basha i vendosur edhe pas takimit me Gabriel: “Ne kërkojmë qeveri teknike dhe do ti shkojmë deri në fund”
Basha i vendosur edhe pas takimit me Gabriel: "Ne kërkojmë qeveri teknike dhe do ti shkojmë deri në fund"

Basha i vendosur edhe pas takimit me Gabriel: “Ne kërkojmë qeveri teknike dhe do ti shkojmë deri në fund”

Duket se asgjë nuk ka ndryshuar për opozitën e djathtë shqiptare pas deklaratave të forta në adresë të saj nga ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel të hënën në Tiranë. “Çdo përpjekje për të shkatërruar opozitën është një përpjekje për të shkatërruar Shqipërinë. Ne kërkojmë qeveri teknike dhe do ti shkojmë deri në fund” tha kreu i PD Lulzim Basha pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane. Zoti Basha tha se nuk do të komentonte deklaratat e zyrtarit të lartë gjerman, i cili ka kërkuar dhënien fund të bojkotit dhe marrjen pjesë në zgjedhje , por u shpreh se e ka informuar atë me fakte të pakundërshtueshme për situatën në Shqipëri. “Pas deklaratës së bërë nga ana e ministrit, para takimit me mua, ishte detyra ime që në emër të qytetarëve të paraqesja fakte të pakundërshtueshme që çmontojnë gënjeshtrat e qeverisë për krimin në vend, për drogën, për impaktin që kanë tek zgjedhjet dhe rrenën për reformën në drejtësi. E kam bërë këtë gjë me qetësinë më të madhe dhe mënyrën më europiane” tha zoti Basha.
Kreu i opozitës bëri të ditur se ka kërkuar rikthimin në parlament të 6 ligjeve të vettingut, për të cilat ai tha se kryeministri Rama ka shkelur marrëveshjen duke i miratuar njëanshmërisht. “Fakti është që Edi Rama shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus. SHBA e detyruan në ligjin që ishin përgjegjës, ligjin për SPAK dhe BKH, BE dështoi ta detyronte ti përmbahej marrëveshjes. 6 ligjet janë pa miratimin e marrëveshjes sepse opozita u përjashtua nga Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. Në këto kushte opozita kurrësesi nuk mund të jetë alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama” tha zoti Basha. Ai deklaroi se “Opozita është e gatshme të ulet me mazhorancën që këto 6 ligje të kthehen në frymën dhe gërmën e kushtetutës dhe të komisionit të Venecias dhe vetëm kjo do të mundësojë që opozita të ecë përpara me rolin e saj sa i përket miratimit të këtyre ligjeve dhe zbatimit. Kjo është rruga e vetme, gjithcka tjetër është gënjeshtër dhe propagandë” tha kreu i PD Lulzim Basha.