KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Financat shqiptare grumbullojnë të ardhura më shumë se sa planifikimi
Financat shqiptare grumbullojnë të ardhura më shumë se sa planifikimi

Financat shqiptare grumbullojnë të ardhura më shumë se sa planifikimi

Ministria e Financave raportoi të premten se është rritur numri i të punësuarëve, e vërtetuar kjo edhe nga rritja e kontributeve të tyre. Shifra është më e lartë se ajo e vitit të kaluar dhe më e lartë edhe se plani i Financave për vitin 2017. Ndërkohë ka një tejkalim me tre miliardë lekë nga tatim fitimi i kompanive, që, sipas ministrisë, është rrjedhojë e deklarimit real të tatimpaguesve.
Edhe pse nuk është realizuar me 425 milion lekë tatimi mbi të ardhurat personale, pjesa kryesore e këtij mosrealizimi është përfituar nga qytetaret, pra nga shitjet e pasurive të tyre të paluajtshme, që vjen nga reduktimi i pagesës së tatimit në burim, në 2% nga 15% që është niveli bazë.
Treguesit e tjerë fiskalë paraprakë të tremujorit shënojnë rritje. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 116 mijë ton, importi i Gazit të Lëngët me 13%, importi dhe prodhimi i birrës me 12%, importi i pijeve energjike me 42%, Importi dhe prodhimi i verës me 5.5%. Importi i Cigareve dhe kafes ka shënuar të njëjtin tregues sa ai i vitit të kaluar.
Për autoritetet fiskale vazhdon të mbetet shqetësim grumbullimi i tatimit mbi vlerën e shtuar brenda vendit, i cili nuk realizohet as për tremujorin, madje me tregues më të ulët se ai i periudhës janar-shkurt 2017.
Treguesit e mësipërm kanë sjellë në arkën e shtetit më shumë se 100 miliardë lekë. Buxheti i vitit 2017 ka planifikuar të ardhura në total gjithsej 436,4 miliardë lekë, ose 27,3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe Banka e Shqipërisë, konfirmoi se për tremujorin e parë të këtij viti treguesit i ndjesisë ekonomike (për të tretin tremujor rresht), vijoi prirjen rritëse dhe qëndroi mbi mesataren historike.