KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Gjirokastër, Sahati i Kullës së Kalasë hesht prej tre dekadash

Gjirokastër, Sahati i Kullës së Kalasë hesht prej tre dekadash

Jehona e këmbanës që për dekada me radhë ishte pjesë e jetës së banorëve jo vetëm të qytetit të gurtë, por gjithë luginës së Drinos, është kthyer tashmë në nostalgji. As akrepat e sahatit të vendosur në Kullën e Kalasë nuk lëvizin më prej vitesh. “Ruaj shumë mbresa nga e kaluara, kur binin kambanat e sahatit të cilat zgjonin gjithë qytetin! Gjëmimi i saj nuk qëndronte vetëm në qytet, por kalonte larg deri në Lunxheri” kujton Stefan Arseni. “Sahati dhe Kulla e Sahatit është një element jo vetëm e gjithë kësaj ndërtese, kësaj ndërtese e cila është krenaria e qytetit, por është edhe një element i veçantë i trashëgimisë kulturore” shton ai.
Kulla e orës u ndërtua në kohen që kalaja zotërohej nga sundimtar i fuqishëm feudal në Shqipërinë Jugore, Ali Pashë Tepelena. Në luftën e parë botërore sipas arkitektëve ajo u dëmtua ndërsa ora u mor nga grekët. “Që në vitin 1913 është marrë sahati i Gjirokastrës sëbashku me këmbanën dhe është çuar në Greqi dhe është vendosur në Janinë” thotë arkitekti Agron Doraci. Sipas tij Ali Pashë Tepelena ndërtoi vetëm një pjesë të kullës.
Ishte viti 1971 kur kulla do te ringrihej kujton zoti Doraci. Në atë kohë ai kryesonte grupin që për një javë do të merrej me ngritjen provizore të saj, ndërsa ora erdhi nga Shkodra bashkë me këmbanoren. “Këmbana e vendosur për të njoftuar orën në kalanë e Gjirokastrës ishte aq e fuqishme, sa ka mbetur si legjendë në popull që thuhej se dëgjohej deri në Janinë” thotë arkitekti Doraci.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve kulla e orës së kalasë ka mbetur në kohë, diku në vitet 1990. Që nga ajo kohë qyteti i Gjirokastrës pret e pret që një ditë të bukur të bukur të zgjohet nga kambana dhe të ecë me ritmin e orës së kohëve tona.