KRYEFAQJA » LAJME » Kriza politike, nisin përpjekjet për zgjidhjen
Kriza politike, nisin përpjekjet për zgjidhjen e krizës

Kriza politike, nisin përpjekjet për zgjidhjen

Burime të besueshme informacioni nga maxhoranca dhe opozita, bëjnë të ditur se palët kanë ndërmarrë hapa konkretë për të mundësuar një takim mes kreut të PS dhe kryeministrit Rama dhe kreut të PD Basha, takim i cili do të synojë zgjidhjen e krizës politike në vend. Përfaqësuesi i maxhorancës, deputeti socialist Taulant Balla dhe përfaqësuesit i opozitës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashin, janë takuar të premten mes tyre. Sipas njoftimeve palët kanë prezantuar qendrimet tashmë të njohura. Zoti Bylykbashi ka deklaruar qëndrimin e palëkundur të opozitës për largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, ndërsa zoti Balla ka këmbëngulur tek dialogu pa kushte mes palëve.
Ky ishte takimi i parë i cili, shpresohet të ndiqet edhe nga të tjerë. Ka shenja se zgjedhja e presidentit të ri të vendit në seancën e planifikuar më 19 prill, mund të jetë një rast i mirë që palët të vendosin ura bashkëpunimi. Ndërsa më parë maxhoranca ishte shprehur se presidenti i ri i takonte koalicionit PS- LSI, tashmë po flitet se ajo do të kërkojë edhe konsensusin e opozitës.
Ndërkaq pritet që ditët e ardhshme të intensifikohet edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Në fillimjavë në Tiranë pritet të mbërrijë ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, i cili mendohet se do të ketë mesazhe të drejtëpërdrejta për të dy palët. Deri tani reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë këshilla të forta ndaj PD që ajo të kthehej në parlament, të votonte reformën në drejtësi dhe të merrte pjesë në zgjedhje.