KRYEFAQJA » LAJME » KUKES: NJE DITE “ DIMRI “ NE PRANVEREN E SHISHTAVECIT

KUKES: NJE DITE “ DIMRI “ NE PRANVEREN E SHISHTAVECIT

Ndërsa pranvera po hidhta hapat e parë, një rikthim i menjëhershëm i dimrit duket se i ka befasuar disa zona në verilindje të Shqipërisë. Një ekip i RTSH ishte në Shishtavec të Kukesit, fshat që ndodhet në lartësinë e 1300 metrave, ndër të rrallët në Shqipëri. Bora e rënë ka hequr mundësinë të kulloturit në natyrë, që sapo kishte nisur, duke u shtuar blegtorëve të atjeshëm vështirësitë e rritur kostot.
80 vjeçari, Shefki Gjuta, nga fshati Shtrezë, ka ecur 4 ore deri në Kosovë për të siguruar ushqim të koncentruar për bagëtitë që mbarështron vetëm për tre ditë. “Bora na ka bllokuar, ushqimet janë mbaruar, ky është problemi” thotë ai për RTSH. “Patatja na ka ngelur pa shit…” shton më tej ai. Plaku Gjuta thotë se jeta këto ditë është vështirësuar.
“Unë shpenzoj 200 mijë lekë për të ushqyer delet” thotë një tjetër banor i Shishtavecit. “Tani në prill e në maj ushqimin e bagëtive nuk e kemi të garantuar fare”.
Moti i ftohtë e me reshje do të vonojë ardhjen e pranverës, ndërkohë që nëse do ketë ngrica, thotë biologu Arben Palushi, pasojat do jenë edhe më të mëdha tek bimet dhe kulturat bujqesore. “Dëbora e sotme sjell vonesa në të gjithë vegjetacionin dhe cikli i jetës do të fillojë një muaj me vonesë” thotë zoti Palushi.
“Dëbora e sotme në Grykën e Vanave dhe Shishtavecin 1300 metra mbi nivelin e detit është një kapriço e motit, por në fakt për banorët është një gjë e zakonshme. Ata janë të mësuar me vështirësi të jashtëzakonshme në dimër, sidomos këtë vit” thotë gazetari Jonuz Hallaçi. “Por, shton ai, bora e tanishme është një ftesë më shumë për të zhvilluar turizmin malor në këtë zonë me bukuri mahnitëse, turizëm që deri tani ka munguar”.