KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Memorandumi: Të përdorim më shumë lekun!

Memorandumi: Të përdorim më shumë lekun!

Një memorandum me objektiv uljen e përdorimit të monedhave të huaja në vend dhe rritje të përdorimit të lekut, është nënshkruar nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e radhës të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar.
Ky dokumet përcakton strategjinë që do të ndiqet me qëllim forcimin e besueshmërisë në monedhën kombëtare dhe nxitjen e përdorimit të saj në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Objektivi i strategjisë është që të krijojë kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit. Në veprimtarinë e tyre, palët do të kujdesen që të përkthejnë dhe komunikojnë në monedhën kombëtare, të gjitha vlerat që shoqërojnë marrëdhëniet dhe raportet financiare, në rastet kur kjo nuk kufizohet specifikisht nga kërkesat ligjore.
Sipas këtij memorandumi ministria e financave duhet të vijojë të ndjekë një politikë fiskale që synon ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik, të rrisë preferencën për huamarrje në monedhën kombëtare nga institucionet publike kur emetojnë tituj borxhi. Banka e Shqipërisë duhet të ruajë kuadrin aktual të politikës monetare mbështetur mbi shënjestrimin e inflacionit dhe kursin e lirë të këmbimit, ndërsa AMF në bazë të këtij memorandumi duhet të të përmirësojë kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e rreziqeve të likuiditetit dhe të aftësisë paguese që burojnë nga veprimtaria në valutë e institucioneve që mbikëqyre.