KRYEFAQJA » LAJME » Një shpresë më shumë për të sëmurët me parkinson
Një shpresë më shumë për të sëmurët me parkinson

Një shpresë më shumë për të sëmurët me parkinson

Shkencëtarët e Institutit Karolinska në Suedi kanë zbuluar një teknike të re shumë premtuese, përmes të cilës, truri mund të riprogramohet, duke siguruar kështu një kurë për sëmundjen e Parkinsonit. Ata kanë zhvilluar një mënyrë për të modifikuar neuronet në trurin e njerëzve që vuajnë nga Parkinsoni, një çrregullim i sistemit nervor ky që po prek gjithnjë e më shumë njerëz në botë. Sëmundja, e cila mund të shkaktojë dridhje dhe vështirësi në lëvizje, vjen si rezultat i mungesës së dopaminës, një lëndë kimike e cila vepron si lajmëtare në tru. Për dekada të tëra, kërkuesit janë përpjekur të zhvillojnë një trajtim që përfshin transplantin direkt në tru të neuroneve të dopaminës që zhvillohen në laborator. Por zbulimi i shkencetarëve suedezë, ofron një mënyrë totalisht të re për të zëvëndësuar qelizat e humbura nga Parkinsoni. Ata arritën të ndryshojnë qelizat e zakonshme të trurit të quajtura astrocite, në qeliza që i ngjasojnë neuroneve të dopaminës, pas testimit të një numër gjenesh që  njihen se luajnë rol në krijimin e dopaminës. Katër nga gjenet, kur përzihen në një koktejl mikroskopik me disa molekula të vogla, arrijnë të riprogramojnë si neuronet njerëzore të zhvilluara në laborator ashtu edhe ato në trurin e minjve. E reja e studimit është kthimi i astrociteve në neurone që prodhojnë dopaminë.