KRYEFAQJA » LAJME » Projektet austriake për zhvillimin e Shqipërisë

Projektet austriake për zhvillimin e Shqipërisë

Projektet për mbështetjen e Shqipërisë në fusha të ndryshme shteti austriak i ka nisur vite më parë, ndërsa sot ato janë të prekshme dhe me rezultat. Agjencia Austriake për Zhvillim ftoi një grup gazetarësh që të shihnin dhe njiheshin nga afër me punën që ata kanë kryer në 20 vitet e fundit, për ngritjen e kapaciteteve prodhuese, fuqizimin e ekonomisë dhe arsimit.
Një prej veprave që ata krenohen është Hidrocentrali i Ashtës, një nga më unikët në Europë përsa i përket teknologjisë hidro-matriks dhe marrëdhënieve miqësore me mjedisin, i projektuar dhe ndërtuar nga një firmë austriake. “E rëndësishme për t’u theksuar në këtë projekte është fakti që janë zbatuar të njëjtat standarte teknike ashtu edhe mjedisore neë ndërtimin e këtij investimi, ashtu sikurse ky projekt mundet të ishte investuar dhe ndërtuar edhe në Austri” tha për RTSH Zijana Hasimja përfaqësuese e marrëdhënieve me publikun në Hidrocentralin e Ashtës.
Në Shijak prej vitesh është ngritur dhe funksionon “Naber Konfesksion” një firmë që prodhon veshje vetëm për eksport. Përfaqësuesi i saj Nazmi Grori, thotë se “Pas përfundimit të shkollës nxënësit kanë ardhur dhe vazhdojnë të punojnë tek ne”. Agjencia Austriake për Zhvillim synon nëpërmjet një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit që të rrisin nivelin e shkollave që nxënësit kur të dalin në jetë të jenë specialistë të vlerësuar.
Heinz Habertheuer, kreu i Zyrës Austriake për zhvillim në Shqipëri thotë se janë shumë të kënaqur me punën dhe bashkëpunimin që ata kanë gjetur. “Shteti austriak po mbështet projekte në shkolla, apo sektorin privat. Ne kemi një strategji të caktuar për investime në Shqipëri deri në vitin 2020. Puna jonë ka si qëllim kryesor rritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e shkollave. Ndërsa mjedisi është kryeprioriteti ynë. Këtë vit kemi dhe një projekt me BE për ujrat” thotë zoti Habertheuer.
Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Johan Sattler u shpreh se kjo mbështetje e Austrisë për Shqipërinë do të vazhdojë gjithmonë. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim me mundësitë tona me investime të ndryshme shumë sektorë aty ku Shqipëria ka më shumë nevojë. Jam i sigurt që mundësitë janë të shumta, por ne na neojitet një background i mirë ligjor. Austria është një mik i hershëm i vendit tuaj dhe për këtë arsye ka një garanci bashkëpunimi të pandalshme” tha ambasadori Sattler për RTSH.
Shkollat, fabrikat, hidrocentralet qendrat sociale falë mbështetjes së Agjencisë Austriake për Zhvillim kanë sjellë një perspektivë plot shpresë për Shqipërinë.