KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Protestat në Venezuelë; Policia përdor sërish gaz lotsjellës
Protestat në Venezuelë, Policia, përdor sërish gaz lotsjellës, vrasje

Protestat në Venezuelë; Policia përdor sërish gaz lotsjellës

Në Venezuelë, policia përdori sërisht gaz lotsjellës për të shpërndarë demostruesit antiqeveritarë që mbushën rrugët e kryeqytetit Karakas. Që prej nisjes së demostratave që po përshkallëzohen në të gjithë vendin, numri i të vrarëve ka shkuar në tetë persona. Presidenti Maduro mblodhi mbështetësit e tij në një antimiting, në përpjekje për të shuar frymën e protestave opozitare dhe garantuar një fitore të ardhshme zgjedhore. Shtetet e Bashkuara u shprehën të shqetësuar lidhur me situatën në Venezuelë. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se qeveria e presidentit Maduro po shkel kushtetutën dhe nuk po lejon të dëgjohen zërat opozitarë. Mijëra vetë u derdhën dje në rrugët kryesore të kryeqytetit të Venezuelës në dy demostrata kundërshtare, njëra në mbështetje të presidentit Nikolas Maduro dhe politikat e tij socialiste dhe tjetra kundër. Në protestat e djeshme u njoftua dhe vrasja e një ushtari të Gardës Kombëtare. Demonstratat shpërthyen pasi Gjykata e Lartë e Venezuelës njoftoi muajin e kaluar se do t’i hiqte parlamentit që kontrollohet prej opozitës, fuqitë legjislative. Por pas protestave dhe një valë reagimesh ndërkombëtare që e panë këtë si një përpjekje për kapje të pushtetit, gjykata ndryshoi qëndrim. Venezuela po përballet vitet e fundit me vështirësi në rritje ekonomike, veçanërisht pasi çmimi i naftës, produkti kryesor për eksport, filloi të bjerë në 2014. Dikur vendi më i pasur i Amerikës Latine, sot shtetasit e saj përballen me mungesa kronike, të artikujve jetikë si ushqimi dhe ilaçet.