KRYEFAQJA » LAJME » Së shpejti në treg Samsung Galaxy 8

Së shpejti në treg Samsung Galaxy 8

Kompania Samsung paraqiti për publikun telefonin më të ri të saj, Galaxy S8, i cili do të dalë në shitje nga data 21 prill. Telefoni është oferta e parë e lëshuar nga kompania e Koresë së Jugut që kur u paraqit Galaxy Note 7, në fund të vitit të kaluar, një model që shkaktoi tronditje të madhe në opinion pasi shumë shtete e cilësuan të rrezikshëm për sigurinë e njerëzve sepse u konsiderua se mund të përfshihet nga flakët. Në një përpjekje për të rifituar besimin e konsumatorëve, Galaxy S8 vjen me disa cilësi të reja përfshirë një sistem sigurie i cili përdor softuer për njohje të fytyrës dhe një ndihmës dixhital të quajtur Bixby. Telefoni i ri ka teknologji të skanimit të retines së syrit për tu hapur, ekran të përkulur anash si paraardhësi i tij S7, butoni Home është zhvendosur dhe nuk duket në ekran. Kamera e dyfishtë ka rezolucion 12 megapiksel ajo e pasme dhe 8 ajo e përparme me 64 giga bajt hapsirë kujtese. Çmimi i Samsung Galaxy 8 do të jetë rreth 800 euro.