KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Turizmi në qytetin e Beratit

Turizmi në qytetin e Beratit

Ndonëse qyteti i Beratit ofron turizëm për gjatë gjithë vitit për shkak se turizimi në këtë qytet është historik dhe kulturor për këtë vit bashkia konsideron si sfidë të saj mbajtjen e turistëve më shumë se një ditë. Shtimi i të ardhurave nga zhvillimi i turizimit synohet të arrihet nëpërmjet qëndrimit më të gjatë të vizitorëve. “Janë bërë mjaft shtëpi private në lagjet Mangalem,Goricë, Kala janë bërë bujtina të një cilësie shumë të mirë. Gjithashtu edhe në zonën kodrinore të Velabishtit, Cinjës, Otllakut është zhvilluar agropërpunimi dhe agroturizmi. Kanë filluar restorantet e para me prodhimet bio të zonës, kanë filluar edhe bujtinat jashtë qytetit të Beratit që i japin tjetër dimension pritjes së turistëve jo vetëm për një drekë apo darkë por për disa net” tha kryebashkiaku Sina. Ajo që është më shqetësuese në këtë qytet dhe në përgjithësi në 5 bashkitë e qarkut janë mbetjet. Petrit Sina kryebashkiaku i Beratit pranon se ky është një problem që nuk ka zgjidhje. “Është shumë e vërtetë që mjedisi tregon marëdhënien që bashkia apo njeriu ka me mjedisin. Dhe me thënë të drejtën marëdhënia që ka Berati apo shqipëria me mjedisin është shumë e keqe. Vend depozitimi aktual apo ai që funksionon në bashkinë e Beratit ka filluar që në vitin 1985 dhe pavarësisht se ka filluar disa vjet para prishjes së sistemit para viteve 90 nuk ka patur një vendim të institucioneve të kohës, pra dhe në atë kohë ka qënë i paligjshëm. Kështu që në atë pjesë të lumit në atë që është buzë lumit dhe në atë pjesë të qytetit është në mënyrë të paligjshme sot e kësaj dite. Automatikisht është përgjegjësia e bashkisë Berat edhe bashkive të tjera normalisht por edhe ministrive të linjës për të parë një vënd që është në frymën e ligjit” theksoi më tej zoti Sina. Kanionet e Osumit, janë na më të prekshmet tanimë për turizmin, ndërsa bashkia e Skraparit duket se ka plane konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të aventurës. Qarku i Beratit nuk ofron vetëm turizëm historik e kulturor por aty mund të vizitosh Parkun Kombëtar të malit të Tomorrit, qyteza antike e vendbanime të lashta ilire dhe të shijosh produktet e zonës të cilat janë të pakonkurueshme.