KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhja e presidentit, në parlament nuk paraqiten kandidatura
Polemika në parlament, ndërsa raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit po afron

Zgjedhja e presidentit, në parlament nuk paraqiten kandidatura

Parlamenti shqiptar ka konsumuar të mërkurën seancën e parë të planifikuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, por pa dhënë rezultat. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga kryeministri i vendit Edi Rama, maxhoranca nuk paraqiti kandidaturë. “Ne do t’i japim hapësirë opozitës që të përfshihet në këtë proces, prandaj nuk do të paraqesim kandidatë në fazën e parë të zgjedhjes së presidentit” tha pak ditë më parë zoti Rama. Ndërsa sot ai përsëriti se do ti japin gjithë hapsirën opozitës për të arritur konsensusin për  të gjetur një figurë gjithë përfshirëse,  sa më përfaqësuese, dinjitoze dhe të paanshme në postin e kreut të shtetit. Por kryeministri socialist tha se opozita do të jetë përgjegjëse nëse do ti përgjigjet ftesave në mënyrë refraktare. “Ne do të presim dhe durimi ynë vjen nga fuqia që kemi” u shpreh zoti Rama. Ai përsëriti se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 18 qershor dhe kjo nuk diskutohet. Për zotin Rama kriza aktuale është vetëm krizë e PD dhe e askujt tjetër.

Presidenti Aktual Bujar Nishani kishte shprehur gadishmërinë për kandidim, por si kusht kishte kërkuar votat e LSI. Nga ana e tij zoti Rama e kishte konsideruar kandidaturën e tij të papërshtatshme.

Pritet që seanca e radhës të mbahet të enjten, kur është edhe seanca plenare e radhës.